Që në përgjimet që u publikuan pas arrestimit të tij ai e pohonte me gojën e vet se shpresat e vetme i kishte tek Gjykata e Lartë, pra se çështja mund të zgjidhej pas zgjedhjeve.
Por duket se gjërat janë përkeqësuar me tepër pas 11 majit. Një bilanc i shkurtër tregon se asnjë nga mbështetësit e Lalit nuk do jetë pjesë e grupit të PS-së në parlamentin e ri. Pavarësisht se ai bën postime si kryetar “de jure”, ai nuk ka më asnjë kontroll mbi drejtimin e bashkisë.
Të martën, kur u zhvillua procesi askush nga militantët që i kanë mbetur, nuk shkoi të protestojë përpara SPAK-ut. Edi Rama e la pas krahëve teatrin e ditëve të para, që gjoja fajësonte prokurorët se po ndërprisnin punët për zhvillimin e Tiranës. Ai përdori si kazus një postim të Etjen Xhafës, për t’i ndaluar ushtarëve të vet socialistë, çdo lloj mbrojtje publike për kryebashkiakun e burgosur. As Fatmir Xhafaj që publikoi në ditët e para një shkrim të gjatë kundër mënyrës së arrestimit, tani nuk pipëtin dot më.
Erion Veliaj, dikur i kudondodhur, duket sikur është braktisur nga të gjithë. “Edhe shpresat për një lirim të tij apo për zbutje të masës, në arrest shtëpie, nga Gjykata e Lartë po zbehen. E para sepse në rastet e tjera të politikanëve të rëndësishëm kjo gjykatë ka vendosur në favor të izolimit, që ka kërkuar SPAK. E dyta, sepse vendimet e gjykatave më të ulta i janë referuar të lartës për të lënë në burg Veliajn. Dhe e treta, sepse drejtësia jonë kur merr sinjale të qarta që politika të ka lëshuar nuk të del më për zot”, tha për Lapsi.al një ish mbështetës i dikurshëm i kryebashkiakut.
