Për ndërhyrjet në ish burgun e Spaçit pritet që të ketë një seancë dëgjimore me ministrin Blendi Gonxhja. Ndërhyrjet në ish burgun e Spaçit gjatë këtyre ditëve janë kundërshtuar nga ish të burgosur politikë, aktivistë të mbrojtjes së trashëgimisë historike dhe kulturore e më gjerë, por kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa kërkoi një ditë më parë që të mbahet një seancë dëgjimore me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja për situatën në burgun e Spaçit. Sipas saj javët e fundit po ndodh një skandal, një procedurë jashtë normales.
“Në kampin e përqendrimit, në burgun e Spaçit, po bëhen retushime, ngjyrosje, bojatisje, mermerizim, ledizime nëse mund t’i quaj këto, të cilat nuk kanë për qëllim mbrojtjen dhe trashëgiminë e asaj që ka ndodhur aty dhe atë që ne duhet t’i transmetojmë fëmijëve tanë, brezave të ardhshëm, por edhe vetë bashkëkombësve tanë për tmerrin, ferrin që ishte Spaçi dhe për atë që personifikonte Spaçi si një burgim për të gjithë ata që vendosnin të ishin ndryshe nga qeveria, të mendonin ndryshe nga pushteti, të mendonin ndryshe nga diktatori, për t’i treguar atyre që liria e shprehjes, që liria e mendimit ndryshe ka kosto, ju vendosni që ta tjetërsoni, ta zbukuroni, ta ndryshoni dhe ta ktheni pak a shumë në një hotel luksi në imazhin tuaj, sesi do duhet të ishte Spaçi”, tha ajo. Ndërsa nën/kryetarja e Komisionit, Evis Kushi ndër të tjera u shpreh se ministri Gonxhja ka bërë një reagim të qartë këto ditë për çfarë po ndodh.
