Bashkë me rrugën drejt Bashkimit Evropian, sfida të reja po trokasin për ekonominë e Shqipërisë, e cila mund të përballet me një tjetër valë emigrimi, pasi hapen edhe më shumë tregjet. Për ta ndalur sa të jetë e mundur këtë ‘hemorragji’, BE financon 50 milionë euro për programe të dedikuara trajnimi, arsimi profesional dhe punësimi për të rinjtë deri në 29 vjeç me fokus tek grupet vulnerabël. “Kjo marrëveshje synon të sigurojë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për të krijuar një mjedis të favorshëm për punësimin e të rinjve me theks të veçantë tek grupet më vulnerabël.
Synon të përmirësojë cilësinë e arsimit profesional të të rinjve dhe të parandalojë emigrimin e të rinjve si pasojë e mungesës së mundësive në vend. Do të ketë mundësi trajnimi, kualifikimi dhe punësimi të drejtpërdrejtë”, tha dje Blerina Gjylameti, deputete e PS-së që ishte edhe relatore e kësaj marrëveshje në Komisionin e Ekonomisë. Përmes këtij programi do të ofrohen bursa për studentët me prejardhje vulnerabël që të mund të arsimohen si dhe mbështetje për studentët me vështirësi në të nxënë.
