KE-ja, e cila u mblodh më 4 qershor për të marrë një vendim lidhur me këtë çështje, tha se Bullgaria i përmbush katër kriteret nominale të konvergjencës që përdoren për të vlerësuar nëse një vend është i gatshëm të adoptojë euron.
“Euroja është një simbol i prekshëm i forcës dhe unitetit evropian”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Banka Qendrore Evropiane pritet po ashtu që të publikojë mendimin e saj më 4 qershor, dhe zyrtarët bullgarë kanë thënë se presin një vlerësim pozitiv edhe nga ky institucion.
Këshilli i Bashkimit Evropian do të marrë vendimin përfundimtar për pranimin e Bullgarisë në eurozonë, duke u bazuar në opinionet e KE-së dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe në diskutimet me Eurogrupin dhe Këshillin Evropian.
