Vapa e nisur rishtazi në Tiranë nuk e pengoi Suelën t’i qëndronte premtimit për të përshkuar së bashku me të atin godinën e Piramidës së Tiranës, e cila iu rikthye kryeqytetit dy vite më parë, pasi qëndroi e rrethuar për tre vite të tjera rresht nën një projekt rikonstruksioni.
Në ndryshim nga unë, për Suelën, një qytetare me aftësi të kufizuar në lëvizje, të shkosh te Piramida dhe ta vizitosh atë cep më cep, është një sfidë, e cila kryhet me vështirësi edhe nga shoqëruesi i saj: babai.
Barrierat u vunë re që në hyrjen ballore të saj, ku pritëse ishin shkallët. Asnjë sinjalistikë nuk është e dukshme që të tregojë se ku është infrastruktura që lejon hyrjen për personat me aftësi të kufizuara, ndaj për këtë arsye duhet që të ecësh rreth e qark për të venë re dy hyrje anësore ku relievi është i tillë që mundëson kalimin e karrocës.
“Nga mënyra se si është konceptuar është objekt ‘par exellence’ i përjashtimit të personave me aftësi të kufizuara. Ne arritëm të futemi deri këtu nëpërmjet një hyrjeje anësore, e cila nuk ishte shumë e thjeshtë. Shumë labirinth rampat, pa sinjalistikë të caktuar dhe kuptohet jo në çdo mjedis ti ke akses”, rrëfen Suela për Citizens.al
