Një projekt gjigant ndërtimi, i firmosur nga zyrtarë të lartë të qeverisë, sot qëndron i braktisur në zemër të kryeqytetit. Dokumente zyrtare dhe analiza ekspertësh ngrejnë hije dyshimi për një rrjet të ndërlikuar financimesh të dyshimta, të lidhura me pastrim parash dhe trafik ndërkombëtar droge, në një sektor ndërtimi që vazhdon të rritet përtej logjikës së tregut real.
Në kryqëzimin e Bulevardit “Gjergj Fishta” me Rrugën “Nikolla Jorga”, aty ku qyteti i Tiranës duket sikur lëviz më shpejt se kudo tjetër, qëndron e ngrirë një ndërtesë që nuk përputhet me ritmin e betonit përreth
Një nga projektet më ambicioze të ndërtimit në kryeqytet, “Ekspozita Building”, ka mbetur në mes të punimeve, ndërsa kantieri ngjan i braktisur dhe pa shenja të qarta aktiviteti ndërtimor.
Në vitin 2019, qeveria shqiptare dha lejen e zhvillimit për këtë projekt. Ishte vetë Kryeministri Edi Rama që, në cilësinë e kreut të Këshillit Kombëtar të Territorit, i dha dritën jeshile ndërtimit. Bashkë me të, firmën e hodhën edhe ministrja Belinda Balluku dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Leja iu dha kompanisë “Victoria Construction”, në pronësi të Luan Matës.
Zhvillues i projektit është po kompania “Victoria Construction” dhe pavarësisht se ndërtimet nisën me vrull, sot gjithçka ka ngrirë dhe ky ngërç duket se lidhet ngushtë me profilin e djalit të zotëruesit të kompanisë, Ervin Matës.
