Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e të mërkurës disa masa kufizuese për kredinë bankare për shtëpi.
Më konkretisht, vendimi parashikon përcaktimin e niveleve tavan për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”, për kreditë që japin bankat për pasuri të paluajtshme rezidenciale.
Raporti i kredisë ndaj vlerës është përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë përmes kredisë.
Kufiri tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.
Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave përfaqëson raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për pronë, në raport me të ardhurat e huamarrësve.

