Ndërsa mbante postin e Ministres së Kulturës dhe më herët si Këshilltare për Çështjet e Territorit në Kryeministri, Elva Margariti nuk deklaroi asnjëherë pronësinë mbi truallin ku sot ndërtohet “The Prime Tower”. Kjo pronë i përket familjes së saj dhe është bërë objekt lejeje ndërtimi gjatë kohës që ajo ishte në detyrë.
Në një nga lagjet më të populluara dhe historike të kryeqytetit, përballë shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku”, po ngrihet një kullë 16-katëshe mbi një truall 980 m². Projekti, i njohur si “The Prime Tower”, është miratuar në vitin 2024 nga Këshilli Kombëtar i Territorit, pavarësisht dy vendimeve gjyqësore të mëparshme që e ndalonin ndërtimin në atë truall.
Por pas këtij projekti luksoz fshihet një rrjet interesash të errëta që përfshin një ish-ministre të qeverisë, një ndërtues nën hetim dhe institucione që, në vend të mbrojnë qytetarët, heshtin.
Trualli ku po ndërtohet kulla i përket familjes së Elva Margaritit, ish-ministre e Kulturës dhe këshilltare për Territorin në kabinetin e Kryeministrit. Edhe pse ajo nuk e ka deklaruar këtë pronë gjatë detyrës publike, leja e ndërtimit u miratua në mënyrë të përshpejtuar gjatë kohës që ajo ishte ende pjesë e qeverisë.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se leja u firmos nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, në kundërshtim me vendimet gjyqësore të viteve 1998 dhe 2019 që e shpallnin ndërtimin në këtë truall si të paligjshëm për shkak të mungesës së kushteve urbanistike dhe rrezikshmërisë ndaj shkollës dhe pallateve përreth.

