Ish-kryenegociatori i Ramës në BE, Zef Mazi, ka hedhur “në erë” premtimin elektoral të Edi Ramës për pasaportën europiane, duke e quajtur atë thjesht iluzion. Në një intervistë për BIRN, Mazi tha se hapja e kapitujve me BE-në nuk është e njëjtë me mbylljen e tyre, dhe se Shqipëria deri më tani nuk ka mbyllur asnjë kapitull. Kjo deklaratë e tij rrëzon pretendimin e Ramës për anëtarësimin e vendit në BE në vitin 2030. Teksa Rama ka reklamuar hapjen e 15 nga 35 kapitujve negociues që nga viti 2022, ish-diplomati Zef Mazi, kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në në vitet 2020-2022, tha se hapja e kapitujve “nuk është e njëjtë” me mbylljen e tyre dhe se Shqipëria deri më tani nuk ka mbyllur asnjë.
“Mali i Zi kishte hapur 32 kapituj në vitin 2012; 13 vjet më vonë, në vitin 2025, Mali i Zi ka qenë në gjendje të mbyllë vetëm pesë kapituj, nëse nuk gabohem. Prandaj, nuk mund ta kuptoj se nga vjen entuziazmi retorik i mbylljes së negociatave në vitin 2027 ose i dhënies së pasaportave të BE-së. Sado që do të doja t’i shihja gjërat në një dritë tjetër, kjo më duket më shumë iluzione sesa realiste”, tha ai. Pra pasaporta evropiane që kreu i qeverisë, Edi Rama, përdor si premtim në të gjitha takimet elektorale brenda dhe jashtë vendit, nuk është asgjë më shumë se një premtim elektoral për sigurimin e votave. Kjo pasi, siç thekson edhe ish-kryenegociatori i tij, ky proces nuk varet nga Edi Rama, por nga BE-ja dhe plotësimi i reformave.
