Inspektori i Lartë i Drejtësisë, po përballet me një rritje të fortë të ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, që qytetarët paraqesin pranë këtij institucioni. Nëse deri vjet, mesatarja e ankesave të dorëzuara në ILD, ka qenë diku te 80 në muaj, që nga fillimi i vitit ato thuajse janë dyfishuar. Ndërsa në janar, u administruan 120 ankesa, në fund të muajit prill, ato arritën në 160 të tilla. Kjo situatë ka bërë që Inspektori i Lartë, Artur Metani, të mbledhë të mërkurën trupën e inspektorëve dhe Njësinë e ndihmës inspektorëve “për të diskutuar mbi rishikimin e proceseve të brendshme të punës dhe rritjen e eficencës për shqyrtimin e ankesave”.
ILD, ashtu si dhe institucione të tjera të Drejtësisë, vuan numrin e ulët të inspektorëve, më pak se gjysma e numrit të miratuar sipas organikës, ne për këtë arsye “në këtë takim pune u vlerësua si e nevojshme marrja e masave të tjera për të maksimizuar përpjekjet për trajtimin e një numri më të lartë ankesash, në mënyrë që të mos krijohet stok”. Që nga ngritja e tij, ILD ka marrë mbi 7300 ankesa, nga të cilat 2100 u trashëguan nga institucionet e mëparshme.
