Asfalti i saposhtruar të shoqëron në 10 kilometrat e rrugës hyrëse në Peshkopi, ndërsa në dy anët e saj, plantacionet me mollë dhe qershi janë ende në lulëzim. Makinat me flamuj të kandidatëve për deputetë të lajmërojnë se qyteti është përfshirë nga ethet zgjedhore të 11 majit, ku qarku Dibër do të dërgojë 5 deputetë në Kuvend.
Në bulevardin “Elez Isufi”, qytetarët shëtisin në një diell të ngrohtë prilli ose ulen në kafenetë e shumta në të dyja anët, ndërsa disa punëtorë po shtrojnë pllakat e reja në një projekt prej dhjetramilionë lekësh, edhe pse u ndërtua pak vite më parë si pjesë e programit “Rilindja Urbane” të qeverisjes socialiste.
Fushata elektorale është tema kryesore e bisedave të dibranëve.
“Tani që u zgjidh problemi i rrugës duhet ribërë një strategji zhvillimi për Dibrën,” thotë Hysen Uka, 60 vjeç, i cili më vonë na tregon se ka qenë një lobues i hershëm i projektit të rrugës së Arbrit nëpërmjet shoqatës së tij “Nisma për Dibrën”.
Hapja e vonuar e tunelit të Murrizit, që shkurton distancën e qytetit verilindor me Tiranën, nuk duket të ketë ndikuar aq sa pritej në entuziazmin e dibranëve
