Një tjetër kandidate e Partisë Socialdemokrate në Fier ankohet se u shkarkua në mënyrë të paligjshme nga Albpetrol dhe në shkelje të së drejtës së saj për të kandiduar pasi shpalli kandidaturën.
Pasi emri i saj u shpall në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialdemokrate në qarkun e Fierit, Limonera Bozha mori një telefonatë urimi nga eprorët e saj në Albpetrol, bashkë me kërkesën për të dhënë dorëheqjen.
Bozha, një specialiste në kompaninë publike të naftës, Albpetrol, i tha BIRN se pasi kishte refuzuar që të jepte dorëheqjen, ishte shkarkuar nga detyra në datën 22 prill përmes një vendimi, të cilin ajo e kundërshton si të kundraligjshëm dhe që cënon të drejtën e saj për t’u zgjedhur. Bozha ka bërë gjithashtu ankim pranë Komisionerit për Mbrojtjen e nga Diskriminimi në lidhje me vendimin e shkarkimit.
Kushtetuta e Shqipërisë i njeh çdo shtetasi mbi 18 vjeç të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, ndërkohë që Kodi Zgjedhur e kufizon të drejtën për të kandiduar me heqjen dorë nga pozicionet e larta publike, ku nuk përfshihen nëpunësit e ulët dhe të mesëm të administratës.
Bozha i tha BIRN se kishte kërkuar lejen vjetore pasi kishte refuzuar që të jepte dorëheqjen, por u përball me një komision disiplinor për mungesat në punë, të cilat ajo pretendon se lidhen me problemet shëndetësore dhe se i justifikon me raportin përkatës mjekësor
