Qarku i Beratit disponon një mandat deputeti i cili, në zgjedhjet e kaluara u fitua nga socialistët dhe u humb nga LSI, por rezultati ishte në fije të perit. Dhe tani që ish-LSI dhe PD garojnë bashkë, loja për mandatin e fundit të Beratit mbetet e hapur.
Kryeministri Edi Rama përdori simbolikisht numrin pesë që partia e tij mban në fletën e votimit dhe rezultatin e zgjedhjeve të kaluara në Berat, 5 me 2 në mandate, për të deklaruar objektivin e tij për këto zgjedhje, pra përsëritjen e këtij rezultati. Qarku i Beratit njihet si qark i majtë dhe me gjasa, socialistët do ta fitojnë shumicën e thjeshtë sërish më 11 maj por rezultati më i mundshëm, nëse gjërat në terren nuk kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore, është 4 me 3.
Qarku i Beratit prodhon shtatë mandate deputetësh ndërsa përgjatë dekadave të fundit, vota atje është ndarë tresh, për socialistët, për ish-LSI-në, tani Partia e Lirisë së Ilir Metës dhe për demokratët. Socialistët kanë qenë gjithmonë partia më e madhe në qark, me më shumë vota nga të dy konkurrentët e vet të marrë sëbashku dhe rezultati i së shkuarës ka qenë solid, me 4 mandate të fituara më 2009, 2013 e 2017 dhe 5 më 2021. Qarku i Beratit ka pasur tetë mandate deri në zgjedhjet e vitit 2013 ndërsa ka rënë në shtatë në zgjedhjet e vitit 2017 e më pas.
Rezultati ka qenë fluid për Partinë Demokratike dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, të cilat kanë ndarë mes njëra-tjetrës, fillimisht katër dhe pastaj tre mandatet e mbetura. Meta mori një mandat në zgjedhjet e vitit 2009, (një nga katër mandatet që e bëri atë kingmaker-in që kurorëzoi Berishën kryeministër për mandat të dytë), 2 mandate në zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2, në zgjedhjet e vitit 2017. Demokratët patën 3 mandate në vitin 2009, shifra më e lartë e shënuar në këtë qark, ranë në 2 më 2013 dhe në 1 më 2017, vitin kur Qarku i Beratit, për shkak të rënies së popullsisë, pësoi rënie në numrin e mandateve nga tetë në shtatë.
Në zgjedhjet e vitit 2021, LSI mori 8,400 vota, vetëm 59 vota më pak nga sa i duheshin për të marrë një mandat. Mungesa e këtyre votave ia kaloi mandatin e shtatë dhe të fundit, Partisë Socialiste. Në rast se PD dhe LSI do të kishin garuar bashkë, mandati do t’i takonte atyre, madje me tepricë votash. Situata natyrisht që nuk është e njëjta dhe bashkimi i Partisë së Lirisë me Partinë Demokratike nuk do të thotë automatikisht se rezultati i mandatit të tretë është i garantuar, për shkak se nuk njihet pesha e mbetur e ish-LSI-së në qark. Në zgjedhjet e vitit 2017, Meta mori gati 20 mijë vota, ndërsa rezultati i tij ra në 8,400 më 2021. Shumë nga politikanët vendorë të LSI-së në qark kanë kaluar ndërkohë me socialistët, ndonëse në zgjedhjet e vitit 2021, kjo duket se nuk ndihmoi shumë. Në fakt, në ato zgjedhje, socialistët humbën rreth 3 mijë vota në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017.
