Hetimet e SPAK për Erion Veliaj kanë çuar hetuesit e BKH-së në Bashkinë e Fierit për një tender të dyshuar abuziv.
Bëhet fjalë për tenderin e vitit 2021 që titullohet “Konsulencë e jashtme për propozim ligjesh”, me vlerë 24 mijë euro, për të cilin Boldnews.al ka raportuar edhe më herët.
Bashkia e Fierit, nën drejtimin e socialistit Armando Subashi, ka sajuar tenderin në fjalë, fonde të cilat përfunduan përmes OJF-ve tek njerëzit e lidhur me Ajola Xoxën, bashkëshorte e Erion Veliajt.
Sipas bisedave të administruara nga SPAK-u, rezulton se bashkëpunëtoret e Xoxes, shtetaset Ines Dani dhe Adela Kondakçiu, diskutojnë ndër të tjera, edhe për pagesën prej 24 mijë eurosh të tenderit Bashkisë së Fierit.
Ky projekt i është dhënë “Personit Fizik-Ines Dani”, por ndërkohë, kjo e fundit rezulton se nuk ka patur asnjë dijeni që ka qenë fituese e këtij fondi.
