Faik Basha është emri i radhës që largohet nga Partia e Lirisë së drejtuar nga Ilir Meta, duke thelluar kështu krizën brenda kësaj partie. Pas Endri Braimllarit që iu bashkua Partisë Socialiste, dje ka qenë zoti Basha, i cili ka bërë të ditur vendimin e largimit në rrjetet sociale, ndërsa thekson se dorëheqja e tij si kreu i PL Kamzë dhe nga të gjitha funksionet në këtë parti ka lidhje me ruajtjen e integritetit. Z. Basha shprehet se nuk e kanë vlerësuar në PL, duke theksuar se gjatë periudhës që kam qenë pjesë e kësaj partie, ka vënë re një mungesë të theksuar të meritokracisë. Madje ai shton se është e qartë se shumë vende dhe pozita janë zënë përmes favoritizmit dhe marrëdhënieve personale, duke anashkaluar individët më të aftë dhe të përkushtuar në kauzat publike.
“Largimi im nga Partia e Lirisë nuk është fundi i përpjekjeve të mia për kauzat që kam mbrojtur, por një fillim i një beteje të re dhe më të suksesshme. Largimi im është një hap i guximshëm drejt rivlerësimit të angazhimeve tona dhe zbardhjes së një rruge të re për të ardhmen e Shqipërisë. Ky është fillimi i një beteje, ku do të vazhdoj të luftoj për çdo uniforme, për çdo familje për çdo shqiptar dhe për çdo komunitet që ndien se zëri i tyre është injoruar. Unë besoj se e ardhmja e Shqipërisë është në duar të qytetarëve të saj. Çdo përpjekje e re, çdo hap i vogël përpara, është një hap drejt një të ardhmeje më të ndritur. Le të fillojmë këtë betejë së bashku për një Shqipëri Europiane, për të ndërtuar një Shqipëri që na bën krenarë të gjithëve. Interesat e një Shqipëria Europiane janë detyrë patriotike e çdo Shqiptari”, shprehet ai. Më poshtë po pasqyrojmë reagimin e plotë të Z. Basha.
