Një tregtar orësh nga Dubai dhe një bloger shqiptaro-amerikan i njohur për shpërndarjen e teorive konspirative, i lidhur me një zyrtar të lartë të Partisë Demokratike, janë burimi i akuzave drejtuar kryeministrit shqiptar Edi Rama. Ky përfundim del nga një hulumtimi i fundit i BIRN. Por si nisi gjithçka? Një postim më 27 mars në platformën ‘X’ nga një llogari anonime e quajtur ‘Live Monitor’ (@amlivemon), ku pretendohej se kryeministri Edi Rama kishte orën më të shtrenjtë mes liderëve të NATO-s, me vlerë 1.4 milionë euro, prodhoi një valë akuzash në Tiranë nga Partia Demokratike, ndërsa vendi po nxehte muskujt për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, drejtuesi i departamentit të komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, e rindau postimin e ‘Live Monitor’, dhe duke e marrë atë të mirëqenë, hodhi dyshime mbi pasurinë e kreut të qeverisë dhe ngriti pikëpyetje mbi burimin e të ardhurave të tij. “Udhëheqësit e NATO-s dhe orët e tyre… Pa më thoni: si ka mundësi që udhëheqësi socialist i Shqipërisë, që bën më pak se 200 mijë USD në vit, mund të blejë një orë që kushton 1.4 milionë USD?” shkroi Lela. Partia Socialiste dhe kryeministri nuk kanë reaguar ndaj akuzës së PD-së për orën. Megjithatë, kërkimet e BIRN zbuluan se postimi që Edi Rama posedonte orën e shtrenjtë të prodhuar nga argjendari Pirro në Tiranë, ishte hedhur në Instagram nga një llogari tregtarësh nga Lindja e Mesme dhe më pas u ripostua nga llogaria ‘Live Monitor’ në ‘X’.
