Shqipëria duhet të zbatojë 31 reforma që lidhen me 141 ndërhyrje që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, arsimin, infrastrukturën dhe teknologjinë deri në vitin 2027, për të përfituar nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në dispozicion të Shqipërisë janë 922 milionë euro në dy vitet në vijim, por kushtet për alokimin e tyre synojnë disa reforma që janë më të efektshme se sa vetë fondet. Ekspertët sqarojnë qëllimet e planit të rritjes dhe ndikimin e tij në ekonomi dhe në sundimin e ligjit.
Në nëntor të vitit 2023, Bashkimi Europian miratoi një plan të ri rritjeje për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia) nëpërmjet të cilit synohet që në dekadën e ardhshme, ekonomia e Rajonit të dyfishohet me synimin për të reduktuar hendekun ekonomik me BE-në.
Plani mbështetet nga një fond prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027, prej të cilit Shqipëria përfiton 922 milionë euro. Vendi ynë ka përfituar paraprakisht një shumë prej 64 milionë eurosh, ndërsa pjesa tjetër do të alokohet në bazë të zbatimit të një agjende reformash, e cila u miratua në tetor të vitit të kaluar nga Komisioni Europian.
Kjo agjendë përfshin 31 reforma kryesore dhe disa investime të mbështetura nga 922 milionë euro financim. Gjithsej janë 143 piketa të lidhura me disbursimin e fondeve.
Më shumë se mbështetja me fonde, ekonomia e Shqipërisë dhe ajo e Rajonit do të përfitojnë nga reformat strukturore, hapja e tregjeve dhe asistenca teknike që jep BE në sektorët kyçë të ekonomisë.
