Një erë e re ka nisur të fryjë në korridoret e drejtësisë shqiptare. Kreu i SPAK, Altin Dumani ka aktivizuar planin e tij më agresiv për të çmontuar perandoritë financiare të ngritura mbi korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin. Dokumenti i publikuar nga Prokuroria e Posaçme tregon qartë se drejtësia nuk do të ndalet më në premtime boshe apo procese të zvarritura, por do të shkojë drejtpërdrejt te pasuritë e dyshimta. Për vite me radhë, të ashtuquajturit “të paprekshëm” kanë jetuar në luks të pacenuar, duke ndërtuar vila madhështore, duke fshehur miliona euro në parajsa fiskale dhe duke përdorur pushtetin e tyre për të siguruar imunitet nga drejtësia. Por duket se ora e tyre ka ardhur.
Me një qasje të re dhe më të ashpër, SPAK me planin strategjik 2024-2027 do të investohet edhe më shumë për të gjurmuar transaksionet financiare, pronat e fshehura dhe pasuritë e dyshimta të politikanëve, ish-zyrtarëve të lartë, biznesmenëve të lidhur me qeverinë dhe figurave të botës së krimit. Sipas dokumentit, SPAK do të shkojë shumë më thellë te pasuritë sesa më parë dhe hetimet do të prekin nivelet më të larta të pushtetit. Në listën e atyre që rrezikojnë të humbasin gjithçka nuk janë më vetëm disa ish-drejtorë apo zyrtarë të nivelit të mesëm, por edhe emra të njohur që dikur e konsideronin veten mbi ligjin.
