Muharrem Xhafa, ish-funksionar i lartë i Partisë së Punës, ka zbuluar detaje të rënda dhe tronditëse lidhur me 22 marsin e vitit 1992, kur Partia Demokratike e Sali Berishës arriti të merrte pushtetin pas rënies së regjimit komunist dhe përmbysjes së diktaturës. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Xhafa shprehu se fitorja e Berishës në ato zgjedhje iu mundësua nga një marrëveshje e errët me Fatos Nanon dhe mbështetje të fshehtë nga Ramiz Alia. Ai e cilëson Berishën si “Hitlerin e Shqipërisë”, një lider që synonte të bëhej mbret i shqiptarëve dhe të kontrollonte trojet e tyre, me mbështetje nga Serbia dhe nën ndikimin e saj. Po ashtu, Xhafa theksoi se, me Partinë Demokratike në pushtet, Berisha instaloi një diktaturë fashiste të pashoqe, duke sunduar me brutalitet mbi masat popullore dhe kthyer Shqipërinë në vendin më të varfër të Evropës dhe të botës.
-Zoti Xhafa, ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se 33 vjet më parë, në zgjedhjet e 22 marsit 1992, mbi 1.7 milionë qytetarë, të rinj dhe të reja, burra dhe gra, të shtypur e të mjerë, nën udhëheqjen e Partisë Demokratike, përmbysën diktaturën e Enver Hoxhës me votën e tyre të lirë, duke e shpallur Shqipërinë nga vendi më monist i botës në një demokraci. Ai e cilëson këtë moment si një ngjarje historike që shënoi rënien e “Hitlerit shqiptar”. Si i vlerësoni këto deklarata dhe si e mbani mend ju 22 marsin e ’92?
Sali Berisha me shokët e tij, ashtu sikurse kanë thënë herë të tjera më parë edhe tani, pas 33 vjetësh, mund të mbllaçitin çfarë të duan dhe sa të duan. Po shqiptarët e dinë mirë se, më 22 mars 1992, pra 33 vjet më parë, Partia Demokratike, e kryesuar nga Berisha, mori pushtetin jo me votë, po me akte rruge e veprime nazifashiste, me tradhtinë e turpshme të Fatos Nanos, me mbështetjen e pabesë të idhullit të Salës, Ramiz Alisë dhe të faktorit borgjez të jashtëm, jo për t’u shërbyer masave të popullit, po për të vrarë popullin, për të shkatërruar vendin, për të organizuar ‘97-ën; për të djegur e vdekur Gërdecin; për të përgjakur bulevardin; për të kryer krime monstruoze të tjera të egra, që i kushtuan rëndë, shumë rëndë, kombit tonë, jo borgjezisë!
