Filipinasit në Shqipëri, komuniteti ilegal që shfrytëzohet dhe abuzohet

Data

Afro 15 mijë Filipinas (rreth 90 përqind gra e vajza) kanë hyrë në Shqipëri gjatë pesë viteve të fundit. Vetëm 20 përqind e tyre kanë hyrë me vizë dhe më pak se 1000 janë të pajisur me leje qëndrimi nga autoritetet shqiptare. Në këtë “ilegalitet” gëlon skllavërimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i anëtarëve të këtij komuniteti

Robelyn T. (shkurt Lini) ka zbritur në Rinas në 11 shtator të vitit të kaluar, duke menduar se po prekte Evropën. Ëndrra për Evropën e ka joshur për të ndërprerë kontratën e punës në Macau të Kinës, e për të pranuar ofertën e re, edhe pse me 300 euro më pak. Bekë Selimi, pronari i një hoteli në Valbonë i ka ofruar asaj 700 Euro, në një kontratë, e cila në fakt nuk ka asnjë vlerë juridike. Pas disa javësh qëndrimi në Tiranë e ka kuptuar tashmë se Shqipëria është Evropë, por nuk është në Evropë.

Nga ëndrra evropiane e ka zgjuar punonjësi i policisë së kufirit në Rinas. Pasaportën që Lini i ka dorëzuar në dritaren e vogël, nuk e ka marrë më mbrapsht. Polici ja ka dorëzuar punëmarrësit të saj. Kjo është teknikë që e përdorin të gjithë punëmarrësit në Shqipëri, si një formë pengmarrje për punëtorët që “importojnë” nga vendet e treta.

Kafja e mirëseardhjes që pronari i ka ofruar 54 vjeçares nga Filipinet, sapo kanë dalë nga aeroporti, ka qenë më e hidhur se në Macau.

“Burri që më priti në Rinas më tha se rroga ishte vetëm 350 Euro. E kundërshtova dhe kërkova që të shkonin tek agjencia që kishte përgatitur dokumentacionin”, tregon Lini në rrëfimin e saj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related