Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi ka qëndruar për rreth 45 minuta në Prokurorinë e Posaçme.
Në një prononcim për mediat pas daljes nga SPAK, Murrizi u shpreh se është hetuar për 10 muaj rresht nga një grup fëlliqësirash në Policinë e Shtetit, por sipas tij, tashmë ka kryer punë me të edhe SPAK-u edhe prokuroritë e rretheve.
Murrizi deklaroi se informacioni për dosjen për të cilën ka dëshmuar, pritet të bëhet i njohur shumë shpejt.
Murrizi theksoi gjithashtu se kishte shkuar në SPAK me duar në xhepa, pasi nuk kishte nevojë të merrte me vete materiale shtesë që mund t’i nevojiteshin, pasi mbante mend çdo gjë. Ai e cilësoi këtë si një akt të zakonshëm, duke u shprehur se nuk kishte marrë as kartën e identitetit, pasi nuk kishte pasur nevojë për të.
Kujtojmë se Murrizi është kallëzuar më herët nga Policia e Shtetit në Prokurorinë e Tiranës për pastrim parash dhe fsheje të pasurisë, pasi pretendohej se nuk kishte deklaruar 60 mijë euro transaksione me të tretë nëpërmjet kompanisë së tij “Murrizi 2009”.
