Kriza politike në Ballkan ka marrë një kthesë të papritur ditën e djeshme, me zhvillime të rëndësishme që tronditin pozitat e dy liderëve të njohur, Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik. Ndërkohë që protesta studentore do mbushë sot rrugët e Beogradit, duke shprehur pakënaqësinë ndaj politikave të qeverisë serbe, një tjetër ngjarje ka shkundur skenën politike në Bosnjë-Hercegovinë, ku Gjykata e Bosnjës ka urdhëruar paraburgimin e liderëve të Republikës Sërpska për një muaj përkatësisht presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtare Nenad Stevandiq. Dodik, Vishkoviqit dhe Stevandiq dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, një vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës, që parashikon një dënim me burg deri në pesë vjet dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare. Ata i kanë shpërfillur thirrjet e Prokurorisë së Bosnjës për t’u paraqitur për intervistim. Prandaj, Prokuroria e Bosnjës lëshoi një urdhër të mërkurën për t’i sjellë ata detyrimisht për intervistim.
Vuçiç në panik
Vuçiç, reagoi ashpër në lidhje me protestën masive të paralajmëruar për sot në Beograd, duke e quajtur atë një tubim të “paligjshëm dhe të pa regjistruar”. Ai theksoi se autoritetet serbe janë të gatshme të ndërmarrin masa të ashpra ndaj organizatorëve dhe do të sigurojnë që çdo shkelje ligjore të ndëshkohet në përputhje me rregullat dhe procedurat në fuqi. Vuçiç theksoi se ai dëshiron të jetë i qartë dhe të mos lërë asnjë dyshim për natyrën e tubimit që po paralajmërohet. “Për sa i përket protestës, ftoj të gjithë palët e interesuara. Fillimisht dua t’ju them një gjë: ai grumbullim është i paligjshëm. Le të jemi plotësisht të qartë, pasi nuk dua t’i bëj lajka askujt. Ky tubim nuk është raportuar tek organet kompetente shtetërore. Kjo nuk ekziston askund në asnjë vend të botës, përveç këtu,” tha ai, duke u shprehur shumë i prerë për këtë çështje.
