Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është përfshirë në një mori skandalesh që po tronditin politikën dhe administratën shtetërore. Hetimet që janë zhvilluar nga SPAK (Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) për ministren, duket se janë drejt fundit dhe siç bëhet e ditur nga avokati i njohur Arben Llangozi, Balluku rrezikon të arrestohet. Ai ka konfirmuar në një intervistë për mediat se gjatë hetimeve janë sekuestruar dokumentacione të rëndësishme, përfshirë telefona dhe kompjutera, të cilat kanë përmbajtje që mund të vënë në dyshim ligjshmërinë e vendimeve që ka marrë ajo gjatë detyrës së saj.
Një nga skandalet më të mëdha sipas tij që ka lidhje me ministren ka të bëjë me projektin e tunelit të Llogarasë, për të cilin sipas hetimeve janë zbuluar shifra të fryra fiktivisht për 50 milionë euro. “Dyshohet se SPAK do i presë fletë-arresti Belinda Ballukut. Ministrja është e përfshirë në një sërë veprimesh korruptive të cilat janë bërë skandale të njëpasnjëshme. Këto kanë dalë edhe në media. Belinda Balluku e cila ka një procedim të zgjeruar që është në kohë të gjatë nën hetim. Kanë filluar dhe hetime pro-aktive. Janë sekuestruar telefona, kompjutera. Janë sekuestruar dokumentacione të prokurorimeve publike të kryera nga kjo shtetase. Mos harrojmë dhe çështjen e tunelit të Llogarasë që është fryrë fiktivisht 50 milionë euro ky projekt”, tha ai.
