Protestat dhe bllokimet e kryqëzimeve vijuan në Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera të Serbisë. Pas thirrjes së studentëve për të mbështetur një grevë të përgjithshme, në Novi Sad nisi një protestë shumëorëshe, në të cilën u përfshinë mësues, juristë, punonjës të sektorit të IT-së dhe qytetarë. Në disa qytete të Serbisë u mbajtën edhe homazhe për viktimat e shembjes së çatisë së stacionit të trenit në novi sad. Dy protesta të mëdha ishin paralajmëruar për sot në Serbi, ndërsa vendi ka hyrë në grevë të përgjithshme. Greva ka nismëtarë studentët dhe gjimnazistët, me mbështetjen e sindikatave dhe shoqatave të ndryshme profesionale. Kjo është greva e dytë e madhe këtë vit, pas asaj të mbajtur më 24 janar, ndërsa sipas mediave serbe, shumica e institucioneve do të bllokohen.
Protesta e re
Pas Nishit, studentët që bllokojnë fakultetet anembanë Serbisë kanë paralajmëruar një protestë të re, të madhe në Beograd për 15 mars. Studentët ende i mbajnë sekret detajet e protestës dhe më e rëndësishmja se ku do të zhvillohet tubimi në Beograd, por dihet disi se si po bëhen përgatitjet për të pritur akademikët nga Novi Sadi, Nishi, Novi Pazari, Çaçaku, Kragujevaci, Uzhice dhe qytete të tjera, të cilët kanë paralajmëruar mbërritjen e tyre në kryeqytetin serb. Siç thanë për “Nova.rs” studentë nga Universiteti i Beogradit, një marrëveshje e brendshme mes tyre është që secili fakultet të presë studentë nga fakulteti i tij simotra, ose i njëjti fakultet, në qytete të tjera.
Frika e Vuçiçit
Presidenti serb iu drejtua publikut pas një takimi me presidentin e Republikës Srpska Milorad Dodik. Ai foli për situatën socio-politike në vend dhe tha se “revolucioni me ngjyra ka përfunduar”. “Unë jam një njeri shumë serioz, nuk do t’ju thosha kurrë se ka mbaruar. E vetmja mundësi për një revolucion me ngjyrë është që ata të më vrasin. Nuk ka rrugë tjetër për ta zbatuar atë. Dhe këtë po ju them në mënyrën më të hapur, revolucioni me ngjyrë ka mbaruar, ata kanë mbaruar. Sepse populli e kuptoi se kush e financoi, për nevojat e kujt dhe si dhe pse duhej të hiqnin dorë nga Republika, si dhe pse të kishin mbetur populli ynë”. tha, transmeton Nova.rs.
Biseda me Putinin
Pas takimit me Dodikun, Vuçiç zbuloi gjithashtu se foli edhe me presidentin rus Vladimir Putin.Në bisedën e djeshme, Putin theksoi se “ndërhyrja e jashtme në situatën e brendshme politike në Serbi është e papranueshme”, njoftoi shërbimi për shtyp i Kremlinit. Putin iu referua protestave disamujore në Serbi dhe “shprehu mbështetje për veprimet e autoriteteve të zgjedhura ligjërisht”, thuhet në deklaratë. Presidenti rus shprehu solidaritetin edhe me Presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik , si dhe e uroi Vuçiqin për ditëlindjen e tij të 55-të. Takimin e ka bërë të ditur edhe presidenti serb në Instagram. Ai tha se ai dhe Putin diskutuan “një tentativë për revolucion me ngjyra në Serbi”. “E falënderova për faktin që zyrtarët rusë nuk e mbështesin këtë revolucion me ngjyra. Putin ka një pozicion shumë të qartë dhe preciz, dhe Rusia e kupton dhe e sheh mirë atë që po ndodh. .Ai zbuloi gjithashtu se takimi i tij me Putinin më 9 maj në Moskë është konfirmuar.
