Kina ka deklaruar se është e gatshme të përballet me SHBA-në në çdo lloj lufte, si përgjigje ndaj rritjes së tarifave doganore të vendosura nga presidenti Donald Trump. Tensionet mes dy superfuqive ekonomike janë përshkallëzuar pasi SHBA vendosi tarifa mbi të gjitha produktet kineze, ndërsa Kina u kundërpërgjigj me tarifa mbi produktet bujqësore amerikane.
Ambasada kineze në Uashington u shpreh në platformën “X” se vendi i tyre nuk trembet nga kërcënimet dhe është gati të luftojë deri në fund, qoftë në luftë tregtare apo ushtarake. Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se SHBA është e përgatitur për çdo konflikt dhe theksoi rëndësinë e forcimit të ushtrisë për të parandaluar një luftë.
Kina ka paralajmëruar një rritje prej 7.2% të shpenzimeve për mbrojtjen për këtë vit, ndërsa kryeministri Li Qiang tha se bota po përballet me ndryshime të mëdha dhe se Pekini do të vazhdojë të rrisë ekonominë e tij edhe përballë presioneve të jashtme.
