Institucionet përgjegjëse për projektin e Ujësjellësit të Himarës iu shmangën sot një takimi të thirrur nga banorët e luginës së Shushicës, të cilët prej vitit 2023 kundërshtojnë devijimin e ujit nga burimi i Lëpushës, që ndodhet brenda Parkut Kombëtar të Vjosës.
Nga rreth gjashtë autoritete që ishin ftuar, në takimin që u zhvillua të premten në Tërbaç të Vlorës, morën pjesë vetëm përfaqësues nga Bashkia e Selenicës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të cilët nuk dhanë komente për planet apo vijimin e punimeve.
Takimi qe thirrur nga kryetarët e fshatrave të luginës së Shushicës, së bashku me banorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Përveç Bashkisë Selenicë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit si zbatues i projektit, ata i patën drejtuar ftesa edhe: Bashkisë Himarë, Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, Bankës Gjermane për Zhvillim (kfw; si financues të projektit) dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim.
“Kemi provuar të gjitha format demokratike për të shprehur mendimin tonë mbi këtë projekt dhe jemi ende të hapur për dialog me vendimmarrësit mbi një zgjidhje që nuk dëmton zonën tonë,” theksoi Astrit Balilaj, kryetari i fshatit Kuç.
Ai shtoi se banorët kërkojnë të informohen dhe duan të dëgjohen para se të vijohet me zbatimin e projektit.
