Operacioni i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) duket se ka hyrë në një fazë vendimtare, duke shtrirë hetimet mbi koncesionin famëkeq të laboratorëve, ku shteti ka derdhur 130 milionë euro në duart e privatëve. Nën lupën e hetimeve është tashmë ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila firmosi këtë marrëveshje, ndërsa emri i biznesmenit Janis Karathano shfaqet si përfitues kryesor. Sipas raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky koncesion nuk duhet të ishte dhënë kurrë, duke ngritur dyshime të forta për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Ndërkohë, spitalet rajonale, të zhytura në mungesë fondesh, detyrohen të ndihmojnë firmën koncesionare me “urdhër nga lart”, ndërsa ai del çdo vit me fitime miliona euro. Por hetimet e SPAK pritet të çojnë në pasoja të rënda për zyrtarët e përfshirë, ndërsa rrjeti i korrupsionit në sistemin e shëndetësisë po dridhet nga themelet. Arrestimet janë vetëm çështje kohe dhe Manastirliu mund të jetë emri i radhës që do të përballet me drejtësinë. Më poshtë po pasqyrojmë një investigim të bërë nga “Vox News” për këtë aferë.
Detajet
Prej vitit 2020, laboratorët mjekësore pranë spitaleve universitarë, rajonalë dhe lokalë, janë dhënë me koncesion për 10 vite. Një konsorcium firmash me seli në Shqipëri, Holandë dhe Francë janë shpallur fitues, teksa emri i firmës koncesionare është “Laboratory Netëorks”. Kostoja totale që do të marrin këto firma nga shteti është plot 130 milionë euro, teksa në marrëveshje parashikohet se pavarësisht se shërbimi i është dhënë privatit, spitalet duhet të ndihmojnë firmën. (Përfitues në letra i koncensionit është Janis Karathano, ndërsa Ogerta Manastirliu ka firmosur si përfaqësuese e shtetit). Ndërkohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka bërë disa raporte, duke gjetur shkelje të shumta. KLSH ka konkluduar se “koncesioni s’duhet të ishte dhënë”. Raporti ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, e cila ka regjistruar procedimin penal me numër 18 në vitin 2022 me akuzën e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
