Në dhjetor 2024, kryeministri Edi Rama njoftoi se TikTok do të ndalohej në Shqipëri brenda 6-8 javësh. Ai e argumentoi këtë vendim me shqetësimet për përmbajtjet e dhunshme dhe gjuhën e urrejtjes. Megjithatë, edhe pas kalimit të afatit të dhënë, platforma vazhdon të funksionojë normalisht. Në një takim me studentët më 28 janar 2025, Rama sqaroi se qeveria është në dialog me TikTok dhe pret propozime nga kompania për të adresuar këto shqetësime. Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë se Shqipëria kryeson në rajon për nivelin e gjuhës së urrejtjes në platformat sociale, duke e lidhur këtë fenomen me rritjen e agresivitetit dhe presionin social te të rinjtë.
Në fund të muajit dhjetor 2024, kryeministri Edi Rama deklaroi se platforma sociale TikTok do të mbyllej brenda 6-8 javëve në Shqipëri. Sipas kreut të qeverisë, kjo masë vjen pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij, pas një sherri që dyshohet se kishte si pikënisje një postim në TikTok.
“Do të na duhen 6-8 javë, për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Gjatë atij viti do të shikojmë si do të veprojnë vendet e tjera, si do të reagojë vetë TikTok. Rrugaçërira, perversitete, dhunë, bullizëm, krim, thika, shpata, revole, euro, dollarë, nuk sheh në TikTok e Kinës”, deklaroi kryeministri Rama më 21 dhjetor 2024.
Më 30 dhjetor 2024, Rama foli sërish në lidhje me mbylljen e kësaj platforme sociale, duke theksuar: “Kemi një situatë që ju e njihni lidhur në TikTok. Ne nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë dhe siç e kam paralajmëruar, është një vendim për implementimin e të cilit do të na duhet 6 deri në 8 javë, sepse teknologjikisht është shumë e rëndësishme kjo kohë”
Mirëpo, kur ka kaluar më shumë se 8 javë nga ky zotim i kryeministrit, platforma sociale TikTok vazhdon të jetë funksionale në vendin tonë.
