Zgjedhjet zhvillohen në një atmosferë kur çështja e migrimit u katapultua, kryesisht nga atentatet, në çështje kryesore. Në radhë të parë perceptimi për migrimin ka çuar edhe në forcimin e AfD-së, një parti me tendencë kundër të huajve.
Partitë e qendrës nuk e përfaqësojnë më, si përpara, të gjithë spektrin politik. Por polarizimi në Gjermani nuk ka arritur përmasat e shteteve të tjera evropiane, ai është larg situatës së SHBA. Konsensusi vazhdon të jetë i preferuar nga forcat politike në Gjermani.
Tendenca e sondazheve të fundit për zgjedhjet
Tendenca e përgjithshme e sondazheve të fundit, sheh sot të parën CDU/CSU, parti e qendrës së djathtë, që arrin te 30.1%. E dyta vjen Alternativa për Gjermaninë, AfD, parti pjesërisht ultra e djathtë, te 20.2 përqind. E treta renditet SPD, partia socialdemokrate, e qendrës së majtë, te 15.3%;Të Gjelbrit, parti me fokus ambjentin e klimën, janë te 13.2. %; partia E Majta, parti pjesërisht ultra e majtë, arrin 6.8%.
Kurse partitë e tjera, FDP liberale dhe Aleanca Sara Wagenknecht (BSW), sipas tendencës së sondazheve, nuk pritet të kalojnë 5%, prag për t’u futur në Bundestag.Parashikimet në sondazhe, për partitë kryesore, thuajse nuk kanë ndryshuar muajin e fundit. Megjithatë, më shumë se një e treta, apo 3,9% e votuesve janë ende të pavendosur për kë do të votojnë.
Qeverinë mund ta formojë partia ose koalicionet partiake që arrijnë gjysmën e mandateve në Bundestag, pra që arrijnë të paktën 316 mandate.
Partneri i preferuar i CDU/CSU
I pyetur për preferencat, kryetari i CDU-së Friedrich Merz, u përgjigj së fundi: “ndoshta me SPD, ndoshta me Të Gjelbrit. Për FDP-në kam dyshime të mëdha”.
Sipas sondazheve, gjasat më të mëdha i ka një koalicion mes CDU/CSU dhe socialdemokratëve, SPD. Një koalicion i tillë e ka drejtuar Gjermaninë katër herë pas Luftës së Dytë Botërore.
Por mund të nevojiten edhe tre parti, për të formuar qeverinë. Pra është e mundur që të kërkohen edhe Të Gjelbrit në bord.
Kjo mund ta vështirësonte formimin e qeverisë. Sepse Merzi ka deklaruar se mund të kthehet te energjia atomike; se do të ndërtojë me shpejtësi 50 centrale me gaz dhe mund të zgjasë përdorimin e motorit me djegie në automjete. Kjo do të kërkonte tolerim nga Të Gjelbrit dhe negociata me ta.Por Merzi dëshiron ta shohë të
formuar shpejt qeverinë, më e vonta deri në 20 prill.
E veçanta e Bundestagut të ri
Pas reformës zgjedhore, të miratuar nga koalicioni tripartiak që u shpërbë, Bundestagu i ri do të jetë më i vogël. Ai do të ketë maksimumi 630 deputetë, pra mbi 100 deputetë më pak se aktualisht. Mandate shtesë nuk do të ketë më.
Në fletën e votimit mund të vendoset për dy preferenca, siç e kërkon sistemi proporcional i personalizuar i Gjermanisë. Me preferencën e parë zgjidhet kandidati direkt i zonës elektorale. Me preferencën e dytë zgjidhet një parti, nga lista e landit federal.
Të drejtë votimi kanë të paktën 59,1 milionë gjermanë, që janë të paktën 18 vjeç.
Për herë të parë mund të votojnë 2,3 milionë zgjedhës, sepse kanë mbushur moshën për votim.
Në këto zgjedhje votojnë rreth 7 milionë votues me origjinë të huaj. Shumica e tyre si tendencë (76%) zgjedhin SPD, pastaj CDU/CSU (71%) dhe pastaj Të Gjelbrit (57%). Afd-në e mbështesin rreth 21% e të huajve në Gjermani.
Evropa dhe një qeveri gjermane Merz
Gjermania ofron një të katërtën e prodhimit të të gjithë Bashkimit Evropian. Friedrich Merz mbështet mbështet tregtinë e lirë, mbështet tregjet e hapura dhe Aleancën Transatlantike.
