Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua pasditen e djeshme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Sipas hetimeve, Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë vënë në jetë një skemë të organizuar për përfitime të paligjshme. SPAK zbuloi se fonde publike dhe leje ndërtimi që firmoseshin nga kryebashkiaku për disa subjekte tregtare, përfundonin te disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, apo dhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh. Këto informacione konfidenciale që shërbyen për prokurorët specialë që të zbardhnin skemën korruptive të Veliajt janë denoncuar nga një qytetar me emrin Nesti Angoni, i cili nuk ekziston, fakt ky i pranuar nga Veliaj dhe vetë SPAK.
Kryebashkiaku i Tiranës tha në dhjetorin e 2024 pas përballjes së tij me hetuesit, se denoncimi është një kurth i sajuar anonim. Veliaj nuk dha më detaje të mëtejshme.Por kush është ky personazh që nuk ekziston? Nëse duam të zbulojmë identitetin e anonimit Nesti Angoni, duhet të shikojmë disa aspekte ligjore dhe politike. E para, duhet të mendojmë për dikë të brendshëm që ka njohuri për detaje të rëndësishme, por që nuk mund të dalë hapur dhe të identifikohet. E dyta, duhet të jetë dikush që ka një motiv të fortë për të denoncuar dhe për ta dëmtuar Erion Veliajn. Në Partinë Socialiste, kush mund të jetë armiku më i egër i Veliajt? Nga e gjithë panorama politike në PS, Belinda Balluku është përmendur shpesh si një rivale e fortë e tij.
