Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur dje një komentuesi, sipas të cilit arritjet në fushën e turizmit nuk ishin merita e qeverisë, por e Zotit që kishte krijuar këtë vend të bekuar, duke e cilësuar kreun e qeverisë njësoj si Berishën dhe Metën. Në rubrikën “Sy me sy” në Facebook, Rama tha se qeveria socialiste përmbysi imazhin e keq të vendit dhe bëri që mediat botërore të flisnin për Shqipërinë si destinacion turistik.
“Nuk është merita jote që të vinë më shumë turistë, është merita e Zotit që na ka fal një vend të bukur e të bekuar, por është për të ardhur keq që nuk kemi ditur të zgjedhim njerëzit e duhur për të na drejtuar, se edhe ti njësoj me Berishën dhe me Metën je. Nuk ke asnjë ndryshim, prandaj më mirë rri rehat sa të kesh pushtet se inshallah të vjen dhe ty radha siç ju erdhi atyre të luftosh në gjykata e burgje”, i shkruante komentuesi Sali Kurra në Facebook, kryeministrit.
