Teksa gjithë vëmendja e debatit publik dhe politik është fokusuar tek ish-kryeministri Sali Berisha, Partia Demokratike dhe situata e kandidimit të ish-presidentit Ilir Meta në zgjedhjet e 11 majit, situatë aspak të qetë duket se po kalon edhe Partia Socialiste. Skandalet që kanë plasur dhe dosjet që pritet të shpërthejnë nga SPAK, ku të implikuar janë personazhe “VIP” të PS, kanë bërë që të gjithë të jenë në ankth dhe frikë. Ujërat në selinë rozë po i trazon dhe më shumë qëndrimi i fundit që mbajti kryeministri Edi Rama ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. “Bashkia e Tiranës është lokomotiva në të gjitha drejtimet dhe mbështetja jonë”, tha Rama dy ditë më parë në përurimin e godinave 16 dhe 17 në Qytetin Studenti, tashmë të rikonstruktuara me kushte bashkëkohore.
Ky ishte një nga rastet e rralla të një daljeje publike të përbashkët mes Ramës dhe Veliajt, pas një periudhe të gjatë në të cilën kryeministri dukej se e kishte distancuar kryebashkiakun e Tiranës. Kjo erdhi në një kohë kur SPAK ka nisur hetimet ndaj Veliajt për akuza që përfshijnë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Hetimet janë intensifikuar me kontrolle në banesat dhe bizneset e familjarëve të tij, si dhe me sekuestrimin e celularëve. Në muajt e fundit, Veliaj është parë gjithnjë e më pak në takimet politike apo në daljet publike përkrah Ramës. Edhe në rastet kur ishte i pranishëm, ai kishte një rol dytësor. Megjithatë, ditët e fundit ka një riaktivizim të dukshëm të Veliajt, i cili po rikthehet në skenën politike.
