Pas Meksikës janë pezulluar tarifat amerikane edhe për Kanadanë, që pas urdhrit të Donald Trump pritej që të hynin në fuqi të martën.
Por këto tarifa janë pezulluar për 30 ditë, pas një telefonate që presidenti Donald Trump pati me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.
Në një postim në X, Trudeau thotë se tarifat “do të ndalen për të paktën 30 ditë ndërsa ne punojmë së bashku”
Kryeministri kanadez thotë se do të udhëzojë 10,000 ushtarë që të punojnë në “mbrojtjen e kufirit” si pjesë e marrëveshjes me Trump.
Ai gjithashtu thotë se do të rrisë burimet për të ndaluar rrjedhën e fentanyl që shkon në SHBA nga Kanadaja.
Një forcë e re sulmuese e përbashkët SHBA-Kanada po krijohet gjithashtu për të luftuar “krimin e organizuar, fentanyl dhe pastrimin e parave”, shton Trudeau.
“Sapo pata një telefonatë të mirë me Presidentin Trump. Kanadaja po zbaton planin kufitar prej 1.3 miliardë dollarësh – duke përforcuar kufirin me helikopterë të rinj, teknologji dhe personel, koordinim të zgjeruar me partnerët tanë amerikanë dhe rritje të burimeve për të ndaluar rrjedhën e fentanilit. Gati 10,000 personel të vijës së parë janë dhe do të punojnë për mbrojtjen e kufirit. Ne do të listojmë kartelet si terroristë, do të sigurojmë monitorimin 24/7 në kufi, do të nisim një Forcë Sulmuese të Përbashkët Kanada-SHBA për të luftuar krimin e organizuar, fentanilin dhe pastrimin e parave. Unë kam nënshkruar gjithashtu një direktivë të re të inteligjencës për krimin e organizuar dhe fentanilin dhe ne do ta mbështesim atë me 200 milionë dollarë. Tarifat e propozuara do të ndërpriten për të paktën 30 ditë ndërsa ne punojmë së bashku”, thuhet në postimin e kryeministrit kandaez.
