Zyra e Delegacionit BE-së në Tiranë është në pritje që Qeveria Shqiptare të angazhohet seriozisht për gjetjen e “fajtorëve” që abuzuan me fondet e bujqësisë, ndërkohë që buxheti për IPARD III mbetet i pezulluar. Nga 33 milionë euro që u konsideruan nga OLAF-i si para të keqpërdorura nga Shqipëria vetëm 1.7 milionë euro janë rikthyer në arkën e AZHBR-së, ndërkohë që kjo agjenci është përballur me padi të shumta gjyqësore.
Vetëm me dy vite “karrierë” në agroturizëm, Elvis Roshi, ish-kryetari socialist i Bashkisë së Kavajës, ia doli të nënshkruante dy kontrata me vlerë rreth 300 mijë euro nga fondi i Bashkimit Evropian në kuadër të mbështetjes së fermerëve në Ballkan.
Roshi, i larguar nga politika për shkak të së shkuarës së tij kriminale, përfitoi mbështetje financiare nëpërmjet Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) që zbaton programin e mbështetjes së fermerëve në Shqipëri, IPARD. Sipas të dhënave zyrtare, ai është një ndër 435 subjektet përfituese.
Projektet e financuara nga agjencia ishin grante të financuara 75% nga fondet e BE-së dhe 25% nga fondet e Buxhetit të Shtetit.
Me zbatimin e projekteve shumë fermerë e panë veten të përjashtuar nga skema, ndërsa përfitues “të privelegjuar“ si Roshi ishin të shumtë.
