Ish-ministri Niko Peleshi ndodhet në qendër të një stuhie politike, ndërsa opozita ka ngritur dy padi të forta në Prokurorinë e Posaçme (SPA) kundër tij, duke e akuzuar për shkelje zgjedhore dhe abuzim me pushtetin. Sipas opozitës, Peleshi, që prej 21 vitesh mban pushtetin në qarkun e Korçës, ka shfrytëzuar administratën shtetërore dhe burimet publike për të siguruar mbështetje elektorale për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit. Akuzat përfshijnë presione dhe shantazhe ndaj nëpunësve publikë, detyrimin e tyre për të siguruar vota nga diaspora dhe përdorimin e takimeve gjatë orëve të punës për qëllime politike. Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun Korçë, Ivi Kaso, ka premtuar një betejë pa kompromis ndaj abuzimeve, duke theksuar se kjo sjellje është dëshmi e një pushteti që kërkon të zgjasë përtej kufijve të çdo norme demokratike.
Kaso akuzon Peleshin se, në mungesë të një programi dhe bilanci konkret, synon të forcojë pozitën e tij përmes shantazheve dhe presioneve sistematike mbi qytetarët. Me paditë e depozituara në SPAK, Partia Demokratike po kërkon drejtësi dhe ndërhyrjen e institucioneve për të ndalur këtë që e cilëson si një kapje të shtetit nga ambiciet personale të Peleshit dhe strukturave të tij politike. Sipas opozitës, zgjedhjet e 11 majit duhet të jenë një moment kthese për qarkun e Korçës dhe për të gjithë vendin, duke garantuar një proces të lirë e të drejtë, larg çdo forme presioni apo abuzimi me pushtetin.
