Inflacioni bazë u rrit në dhjetor, arriti nivelin më të lartë në 7 muajt e fundit

Data

Inflacioni bazë e mbylli vitin 2024 në rritje. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë për dhjetorin arriti në 2.5%, nga 2.34% që kishte për nëntorin.

Niveli i dhjetorit ishte njëkohësisht më i larti që prej muajit mars 2024. Me bazë vjetore, megjithatë, inflacioni bazë rezultoi sidoqoftë në rënie. Në fund të vitit 2023, ky tregues kishte qenë në nivelin 3.2%.

Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash dhe shërbimesh që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Inflacioni bazë përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Në veçanti, inflacioni bazë lidhet me presionet e brendshme inflacioniste, që në vitet e fundit janë ndikuar shumë prej rritjes së kostos së punës të bizneseve.

Përkundrejt rritjes së inflacioni bazë, inflacioni bazë neto për dhjetorin pësoi një rënie të lehtë në 2.21%, nga 2.22% që kishte qenë për nëntorin. Edhe inflacioni bazë neto është në rënie vjetore krahasuar me nivelin 3.38% të një viti më parë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related