Në një zhvillim të paprecedent politik, kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán duket se nuk do të marrin pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ky bosht i perceptuar si pro-rus po përballet me dyshime të forta mbi marrëdhëniet e tij me Perëndimin dhe qëndrimet e tyre të fundit kundër linjës dominante amerikane.
Konkretisht kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán dihet se ka një miqësi të fortë me presidentin rus Vladimir Putin. Edhe pse Orbán ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Trump gjatë mandatit të parë, mungesa e tij në inaugurimin e sotëm ka ngritur shumë pikëpyetje. Zyra e tij ka konfirmuar se nuk ka marrë një ftesë, duke minimizuar rëndësinë e ngjarjes dhe duke pretenduar se marrëdhëniet e tij me Trump janë të qëndrueshme edhe pa këtë prani formale. Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, po përballet me presion në rritje nga SHBA. Sanksionet që ai ka marrë për tregtinë e naftës me Rusinë kanë thelluar akuzat për afërsinë e tij me Moskën.
Në vend të Uashingtonit, Vuçiç u takua në Beograd me mikun e tij të ngushtë Orbán, duke theksuar lidhjen e fortë mes tyre dhe linjën e tyre të përbashkët politike. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama, përmes “gëbëlsit” të tij, Endri Fuga, ka nxjerrë lajmin se ka marrë një ftesë për ceremoninë e inaugurimit, por ka deklaruar se e ka refuzuar atë. Megjithatë, burime të tjera hedhin dyshime mbi këtë pretendim, duke sugjeruar se Rama në fakt nuk është ftuar. Kjo është veçanërisht ironike duke pasur parasysh marrëdhënien e tij të afërt me administratën Trump, sidomos me dhënien e statusit të investitorit strategjik për një projekt të lidhur me dhëndrin e Trump, Jared Kushner, për ndërtimin e një resorti në ishullin e Sazanit.
