Kurti: Katër vitet e qeverisjes tonë, më të mirat për Kosovën që nga çlirimi

Data

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në zgjedhjet parlamentare, ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Gjilanit ku u pritën me mbështetje masive.

Kryetari i komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, u shpreh falënderues për dëshmimin e mbështetjes masive nga qytetarët gjilanas. Ai kujtoi se qeveria Kurti ka financuar mbi 30 projekte në Gjilan vetëm në infrastrukturë, tri çerdhe të reja me vlerë 3.1 milionë euro dhe do të ndërtohen edhe dy të reja. Si komunë e Gjilanit, nga shtatë projekte që kemi prezantuar, katër prej tyre tashmë janë realizuar. Ai u shpreh i bindur se si qytetar gjilanas, të gjithë bashkë do të mbushin numrin e kërkuar prej 500 mijë zemrave më 9 shkurt.

Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, tha se qeveria jonë është qeverisje e cila e vendos qytetarin në qendër, qeverisje e pa korruptuar dhe e cila lufton pabarazinë dhe oligarkinë si faktorë kyç të kësaj pabarazie. Ministrja Haxhiu rikujtoi se kushdo që e ka grabitur dhe vjedhur popullin do të ballafaqohet me ligjin për byronë për konfiskimin e pasurisë së paarsyeshme, sado që do të mundohen ta zvarrisin. Ministrja Haxhiu potencoi se qeveria Kurti është qeveria që ka punuar për dinjitetin e pozitës së gruas në shoqëri me masa dhe programe konkrete. Në fund, ajo i falënderoi të gjithë të pranishmit duke bërë thirrje për një rekord të ri në vota për kryeministrin Albin Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, u shpreh shumë i nderuar që është i pranishëm në Gjilanin që sa herë që e ka kërkuar detyra, ka qenë në anën e bërjes së historisë. Ai i uroi mandatin e ardhshëm kryeministrit Kurti duke theksuar se gjuha e popullit tashmë ka vendosur për këtë vendim. Kryeparlamentari Konjufca tha se nuk duhet të harrojmë kurrë se Gjilani ka qenë pilot-projekt për copëtimin e Kosovës, për këtë arsye Gjilani është lidhur fuqishëm me Lëvizjen VETËVENDOSJE! e që po e dëshmon edhe sot në këtë tubim. Ai u uroi të gjithëve për fitoren masive të qeverisë Kurti 3 më 9 shkurt.

Kryeministri, z. Albin Kurti, filloi fjalën duke theksuar se janë dy numra në këto zgjedhje, njëri numër është 118 e tjetri është 500 mijë zemra cep më cep Kosovës. Kryeministri Kurti u shpreh se në fund të mandatit tonë nuk ka dyshim se mund të themi se ky mandat ka qenë mandati më i mirë qeverisës që nga çlirimi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related