Është nënshkruar dje në Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet, Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe. Pas këtij lajmi, kryeministri Edi Rama u është përgjigjur në rrjetet sociale qytetarëve të cilët shpreheshin se “Rama veq arab ka mbet.
Pse nuk Biznese me Evrop e Amerik?” dhe shkonin më tej duke thënë se qeveria shqiptare s’ka interes për thithjen e investimeve nga Perëndimi. Përmes rubrikës “Sy m’sy”, në episodin e saj të shtatë, Rama tregoi se “para pak ditësh qeveria amerikane na njoftoi se e ka përzgjedhur Shqipërinë për një financim të madh në fushën e energjisë, që janë fondet e qeverisë amerikane”. Ai hedh poshtë pretendimet e komentuesve duke theksuar se investimet e huaja në Shqipërinë kalojnë vlerën e 1 miliard eurove dhe se pjesa më e madhe e kësaj shifre bazohet në Perëndim.
“Sa u ktheva dhe po lexoja komentet tuaja: Rama ka mbet veç me arab, pse nuk bën biznes me Europë e Amerikë”,- komenton Simoni. “Ta kthej unë përgjigjen- komenton Fatosi- se nuk duan vëlla, nuk kanë interes”. Tani nuk e di për e ka Fatosi që nuk do, që s’ka interes: për ne apo për Europën e Amerikën, siç pyet Simoni, por për këdo ta ketë, nuk ka diçka më larg të vërtetës, duke filluar që nga marrëveshja e sotme njëherë, ku ishim mes arabëve dhe italianëve, dhe Italia është në Europë, apo jo Simon? Apo jo Fatos? Tani, e dini sa biznes bëjnë investitorët e huaj në një vit në Shqipëri? Investime të reja, mbi një miliardë euro. Dhe e dini nga vijnë? Europë dhe Amerikë shumica dërrmuese që mos të them të gjitha bashkë.
