Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka reaguar, pasi kryeministri Edi Rama tha se vëllai i tij doli i pastër nga SPAK, pas akuzave të opozitës se “kishte lidhje me laboratorin e Xibrakës”.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Vëllai i Olsit doli sot dhe rilexoi fiks të njëjtin fjalim që mbajti kur opozita akuzonte ish-ministrin Saimir Tahiri si të përfshirë për bashkëpunim me trafikantë droge. Foli gjatë, nuk tha asgjë dhe fytyra i tregonte të kundërtën e asaj që thoshte.
Foli për prova që paska gjetur SPAK që Olsi nuk ka qenë i përfshirë në Laboratorin e “Xibrakës”, por nuk përmendi çfarë konkretisht paska gjetur dhe hetuar SPAK.
E vërteta është krejt e kundërt dhe sot mbeten shumë pyetje pa përgjigje që vërtetojnë që s’ka patur asnjë “hetim” të SPAK-ut për Ols Ramën!
Vetëm një Prokurori ku, si rregull, anëtarët paracaktohen për t’i shërbyer pushtetit dhe jo për të zbatuar ligjin, mund të publikonte një njoftim aq qesharak dhe skandaloz me qëllim “shpërlarjen” e Ols Ramës nga dosja e Xibrakës, edhe pse vetë njofton se:
Hetimi nuk ka përfunduar!
Dosja nuk është mbyllur!
Dosja është ripezulluar!
Kjo ka ndodhur sepse prokurori i çështjes (i njëjti që gënjeu publikisht për ngjarjen e Elbasanit në 2021, se në makinën e ndaluar nuk ndodheshin materiale elektorale) “nuk ka identifikuar dot asnjë nga autorët e tjerë të veprave penale” që kanë mbetur të paidentifikuar prej 10 vitesh tashmë.
Por a identifikoi prokurori i Olsit se mes këtyre të paidentifikuarve gjendet apo jo Ols Rama? Si? Çfarë provash mblodhi për këtë? Cila është foto që shoqëron raportin e grupit të vëzhgimit lidhur me personin e “pa identifikuar të moshës 45 vjeç”? Pse nuk bëhet publike foto e raportit të grupit të vëzhgimit që qytetarët të ndihmojnë me informacione “për ta identifikuar”?
Deklarata e prokurorit nuk i jep përgjigje këtyre pyetjeve, që është edhe thelbi i kërkesës për SPAK-un. Megjithatë, Prokurori është kujdesur të thotë politikisht që Ols Rama nuk rezulton i përfshirë në veprimtari të paligjshme, sepse s’ka hetuar dhe për pasojë nuk ka prova. Hetimi bëhet ekzaktësisht për të grumbulluar provat, bazuar në indiciet që prokuroria i ka patur të plota dhe të pakontestueshme.
Kur prokurori nuk ka arritur të zbulojë identitetin e personave të paidentifikuar, si ka arritur në konkluzionin se vëllai i kryeministrit nuk ka qenë i përfshirë në aktivitet kriminal?! Si ka përfunduar hetimet, siç thotë në fjalinë e parë, ndërkohë që në fakt ka vendosur pezullimin e hetimeve, pra s’ka përfunduar asnjë hetim?!
