Nga Meta tek Berisha, politikanët përballë Drejtësisë në 2024

Data

Arrestimet e Ilir Metës, ish-president dhe ish-kryeministër dhe Ilir Beqajt, ish-ministër i Shëndetësisë dhe një prej zyrtarëve të afërt të kryeministrit Edi Rama ishin momentet kryesore të përballjes së politikanëve me drejtësinë gjatë vitit 2024.

Beqaj, i akuzuar si i përfshirë në aferat kontradiktore të koncesioneve në shëndetësi, u arrestua në të nxehtin e korrikut për përvetësim të fondeve të Bashkimit Europian përmes një restoranti. Ndërkohë Ilir Meta u arrestua në mes të autostradës që lidh Tiranën me Durrësi në tetor 2024, pasi një hetimi të gjatë që sipas Prokurorisë së Posaçme provoi përfshirjen e tij dhe bashkëshortes deputetes Monika Kryemadhi në korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Gjatë vitit një mori zyrtarësh të nivelit të dytë, përfshi ish-drejtorë të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës u arrestuan po ashtu nën akuzat e korrupsionit e abuzimit me tendera. Ndërkohë, për një sërë politikanësh, për të cilët përballja me drejtësinë ka filluar më herët, janë marrë vendime dënimi. Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako u dënuan nga Gjykata e Posaçme e Apelit me vendim të formës së prerë për abuzimet në aferën e inceneratorit të Elbasanit. Po ashtu pas një procesi të gjatë u dënua ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i akuzuar për shpërdorim detyre.

Ish-kryeministri Sali Berisha, u dërgua për gjykim për akuzën e Korrupsionit Pasiv në 16 tetor 2024. Berisha, 80 vjeç, është zyrtari më i lartë i opozitës në tre dekada që përballet me një situatë të tillë ligjore. Gjatë vitit 2024 Berisha ishte për pjesën më të madhe me masën e arrestit shtëpiak. Masa ndryshoi vetëm në fund të vitit, pai dosja ndaj tij u dërgua për gjykim. Berisha është nën akuzë bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi. Biznesmeni Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina do gjykohen për pastrim parash. Si të pandehur për pastrim parash janë marrë dhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k. Ata i kanë mohuar akuzat dhe akuzojnë SPAK se po i përndjek politikisht.

Ilir Meta, Ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë, u arrestua në 21 tetor të këtij viti. Ai akuzohet sëbashku me bashkëshorten Monika Kryemadhi për korrupsion, pastrim të parave dhe mosdeklarim e fshehje të pasurive. SPAK e akuzon Metën për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji në favor të biznesmenit Samir Mane. Sipas njoftimit të shpërndarë nga SPAK, akuza të ngjashme rëndojnë edhe mbi deputeten Monika Kryemadhi, e cila është bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e Metës për dekada, por tashmë ata ndodhen në proces divorci. Meta akuzon prokurorinë e Posaçme për përndjekje politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related