Në një intervistë për një emision televziziv avokatja Adriana Kalaja komentoi thirrjen në SPAK të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Ajo ngriti akuza të forta ndaj institucionit të SPAK-ut, duke e cilësuar veprimtarinë e tij si të dirigjuar dhe të ndikuar politikisht. Sipas saj, SPAK-u krijon qëllimisht konfuzion për të mbuluar shkeljet ligjore dhe për të mbrojtur zyrtarët e lartë në pushtet, përfshirë Edi Ramën dhe Erion Veliajn.
Kalaja theksoi se hetimet janë të manipuluara dhe arrestimi i Veliajt do të ndodhë vetëm kur kjo t’i leverdisë politikisht kryeministrit Rama
ADRIANA KALAJA:
Ka një kakofoni që unë mendoj se e krijon vetë SPAK-u, për të mbuluar gjërat që SPAK-u dëshiron të fshehë. Kjo bëhet për të dhënë përshtypjen se SPAK-u po kryen detyrën, por në fakt po e ushtron atë duke shkelur ligjin dhe duke mbrojtur zyrtarët që janë në pushtet. Këtu e kam fjalën për Edi Ramën dhe Erion Veliajn.
Për t’u kthyer te rasti i Erion Veliajt, ndryshe nga ajo që pretendon Rama – i cili, në aspektin ligjor dhe penal, ka një farë të drejte kur thotë se nuk mban përgjegjësi për ministrat për shkak të përgjegjësisë së tyre personale – unë mendoj se Rama mban përgjegjësi politike dhe morale. Për sa kohë që ai i ka zgjedhur këta ministra dhe është titullari i qeverisë, përgjegjësia politike dhe morale i takon atij.
Po krijohet një kakofoni sepse, po të marrim vendimin që ka marrë Prokuroria e Posaçme lidhur me dosjen e hetimit pasuror të Veliajt, në qershor të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme ka marrë një vendim për të krijuar një dosje të veçantë. Por nga doli kjo dosje? A u ngritën një mëngjes Altin Dumani dhe Olsi Dado dhe vendosën të krijonin një dosje të tillë? Apo të gjitha veprimet dhe aferat e paligjshme të përfshira në këto dosje, që janë rezultat i 55 kallëzimeve dhe denoncimeve, të cilat unë dhe Aleanca për Teatrin i kemi dorëzuar, krijuan dyshimin e arsyeshëm, madje edhe bindjen përtej këtij dyshimi, se kemi përpara vepra penale, përfshirë korrupsionin, fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e parave?
Përse them unë që ky është një hetim me regji? Sepse arrestimi i Erion Veliajt do të bëhet ditën kur Edi Rama të japë urdhrin, ditën që i leverdis më shumë Ramës ose kur ai të ndodhet në një situatë të vështirë.
