Tregjet shqiptare furnizohen në pjesën dërrmuese nga importi me ushqime të përpunuara, por ulja e çmimeve të tyre në vendet e origjinës nga vijnë nuk po reflektohet në çmimet e pakicës.
Sipas të dhënave të INSTAT indeksi i çmimeve të importit për ushqimet e përpunuara dhe pijet joalkolike shënoi rënie me – 1.8% në tremujorin e tretë të vitit 2024 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por çmimet e këtyre artikujve në raftet e super maketeve janë rritur për të njëjtën periudhë më së paku 2-3 për qind sipas të dhënave të INSTAT mbi inflacionin.
Përveç uljes së çmimeve importuesit janë favorizuar edhe ulja e euros vitet e fundit. Disa distributorë pohojnë se kanë fituar ndjeshëm nga ulja e euros. Psh nga nënshkrimi i kontratave dhe marrja e mallit deri në bërjen e pagesave euro është ulur duke sjellë fitime ekstra, pasi shumica e importeve të ushqimeve bëhet në këtë valutë.
Por edhe ushqimet ashtu si edhe shumë artikuj të tjerë të importit nuk reflektojnë ndryshimet e çmimeve në raport të drejtë me uljet në tregjet ndërkombëtare.
