Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, gjatë takimit me shefat e rinj të komisariateve të policisë, kërkoi angazhim maksimal në krye të strukturave për ndjekjen në dinamikë të shqetësimeve dhe problematikave të qytetarëve, për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të tyre.
Ai kërkoi gjithashtu angazhim të plotë për parandalimin dhe goditjen e krimit të rrugës, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët, si dhe për parandalimin e kultivimit dhe shpërndarjes së bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Proda u fokusua gjithashtu në luftën kundër lojërave të fatit, krimeve mjedisore, sigurisë në shkolla, sigurisë rrugore dhe rritjen e performancës së punonjësve të policisë, duke theksuar rëndësinë e etikës së komunikimit me qytetarët.
“Jam i bindur se secili prej jush do të jetë në lartësinë e detyrës që mban”, shtoi Proda.
Ndërsa vlerësoi procesin e përzgjedhjes së shefave të komisariateve dhe i uroi ata për detyrën, të cilën e cilësoi jo si privilegj, por si obligim dhe përgjegjësi për secilin prej tyre, Proda iu përcolli shefave të komisariateve një sërë detyrash dhe porosish për të përmirësuar më tej imazhin e Policisë, për të rritur parametrat e sigurisë dhe për të arritur rezultate më të larta në luftën kundër krimit.
Drejtori i Përgjithshëm theksoi se jemi përpara një procesi zgjedhor dhe se tashmë Policia e Shtetit ka vendosur standarde të certifikuara nga ndërkombëtarët për një qëndrim korrekt. Ai iu kërkoi shefave të komisariateve dhe vartësve të tyre të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin, duke theksuar: “Ne jemi punonjës policie dhe kemi një mision i cili është zbatimi i ligjit.”
