Gjykata Kushtetuese përpara provës së “zjarrit”, sot vendoset fati për përgjimet e aplikacionit “SKY ECC” që…

Data

Gjykata Kushtetuese do të jetë sot përballë sfidës së madhe apo përpara provës së “zjarrit”.  Konkretisht sot në orën 10:00, Gjykata Kushtetuese do të mblidhet, ku pritet të marrë një vendimi që mund të ndikojë jo vetëm në drejtësinë shqiptare, por edhe në luftën kundër krimit të organizuar. Në qendër të vëmendjes është seanca për investitorin strategjik të qeverisë, Pëllumb Gjoka, i cili kërkon shpalljen e pavlefshme të përgjimeve të realizuara përmes aplikacionit të koduar “SKY ECC”. Pëllumb Gjoka u arrestua gjatë operacionit të madh “Metamorfoza”, bazuar në informacionet e ardhura nga agjenci europiane si Franca dhe Belgjika, që deshifruan komunikimet përmes telefonave të koduar

Këto përgjime janë bërë pjesë e dosjeve voluminoze të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të cilat kanë çuar para drejtësisë dhjetëra persona të përfshirë në veprimtari kriminale, përfshirë vrasje me paramendim, korrupsion dhe shkelje të tjera të rënda të ligjit. Avokatët e Gjokës pretendojnë se këto prova nuk janë të ligjshme dhe kërkojnë që ato të mos merren në konsideratë nga gjykatat shqiptare. Nëse kërkesa e tyre pranohet nga Gjykata Kushtetuese, pasojat do të jenë të mëdha, pasi vendimi mund të krijojë një precedent që favorizon edhe zyrtarë të tjerë të lartë dhe bosë krimi, të cilët ndodhen nën hetim përmes përgjimeve të ngjashme.

Detajet

Por situata është më e komplikuar. Më 17 tetor, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg shpalli të ligjshme përgjimet e aplikacionit “EncroChat”, një platformë tjetër e koduar e përdorur nga botët kriminale. Ky vendim krijoi një bazë të fuqishme për legjitimitetin e këtyre metodave në luftën kundër krimit të organizuar, dhe tani të gjithë sytë janë drejtuar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare: A do të ndjekë ajo rrugën e Strasburgut, apo do të përkulet përballë presioneve dhe interesave të fuqishme?

Mësohet se janë të shumtë ata që po presin me padurim vendimin. Nëse përgjimet e “SKY ECC” shpallen të pavlefshme, një numër i madh kriminelësh, politikanësh, biznesmenësh dhe zyrtarësh publikë mund të shpëtojnë nga drejtësia. Madje, flitet se ndaj Gjykatës Kushtetuese po ushtrohet një presion i jashtëzakonshëm, përfshirë këtu edhe tentativa për ndikim financiar që shkon në miliona euro.

Çfarë kërkon SPAK?

SPAK, nga ana tjetër, ka kërkuar që Kushtetuesja të mbajë në fuqi vendimet e dhëna nga Gjykata e Posaçme dhe Apeli, të cilat kanë cilësuar përgjimet si prova të ligjshme. Sipas tyre, mospranimi i këtyre provave do të ishte një goditje e rëndë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet më të larta. Kjo çështje është kthyer tashmë në një provë “zjarri” për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Kushtetuesja ndodhet përballë një dileme të madhe: të mbrojë ligjin dhe interesin publik, apo të përkulet përballë presioneve të krimit dhe korrupsionit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related