Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani dhe Kryeprokurori Special i Malit të Zi, Vladimir Novoviç nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, zoti Dumani theksoi përkushtimin e Prokurorisë së Posaçme si dhe rëndësinë e shkëmbimit të informacionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Novoviç vlerësoi punën e SPAK duke nënvizuar rolin e hetimeve të përbashkëta dhe ndihmës së ndërsjellë juridike.
Dy kryeprokurorët folën gjithashtu mbi nevojën e ndarjes së eksperiencave në nivel ekspertësh lidhur me praktikat më të mira të institucioneve që ata përfaqësojnë. Nënshkrimi i këtij memorandumi është një tjetër hap pozitiv në thellimin e marrëdhënieve me institucionet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të armëve, lëndëve narkotike dhe krimit kibernetik. Prokuroria e Posaçme vijon të ndërtojë marrëdhënie strategjike me agjencitë ligjzbatuese në rajon duke rritur efikasitetin dhe bashkëpunimin në luftën kundër sfidave të përbashkëta.
