Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama mblodhi të tijët në seli. Arsyeja e mbledhjes me drejtuesit politik dhe kryebashkiakëve është identifikimi i diasporës dhe krijimi i një libri të posaçëm me të dhënat e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe duan të votojnë në parlamentaret e 2025-ës.
Policia e Maqedonisë së Veriut ka kryer bastisje në shtëpinë e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, disa ditë pasi ai u përfshi në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara për korrupsion. Aksioni është pjesë e hetimeve për furnizimin e pajisjeve të lojërave të fatit në Lotarinë Shtetërore, një aferë që kap vlerën mbi 10 milionë euro. Grubi nuk është gjetur në shtëpi, ndërkohë që ai njoftoi në Facebook se ndodhet jashtë shtetit për një vizitë private dhe do të kthehet në Shkup pas përfundimit të angazhimeve. Bastisje është kryer edhe në shtëpinë e ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, një bashkëpunëtor i ngushtë i Grubit, por edhe ai nuk është gjetur. Burime jozyrtare thonë se Bajrami ndodhet në Kosovë, ndërkohë që në banesën e tij janë gjetur shuma të konsiderueshme parash. Operacioni është shtrirë në gjithsej nëntë adresa, përfshirë edhe shtëpitë e anëtarëve të Komisionit për Furnizime Publike në Lotarinë Shtetërore.
