Një mision i Oganizatës Botërore të Monumenteve, UNESCO, i ndërmarrë nga 25 -29 Mars të këtij viti i rekomandon Komitetit të Trashëgimisë Botërore që mblidhet vitin e ardhshëm përfshirjen e Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
“Prona përmbush kriteret për regjistrim në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, siç përshkruhet në nenin 11.4 të Konventës së Trashëgimisë Botërore dhe në paragrafët 179 dhe 180 të Udhëzimeve Operacionale për Zbatimin e Konventës së Trashëgimisë Botërore”, thuhet në raportin e misionit publikuar së fundi në faqen e UNESCO-s.
Si nga autoritetet shqiptare edhe ato maqedonase nuk ka ende asnjë reagim zyrtar mbi këtë qëndrim.
Misioni i UNESCO-s thotë në raport se pas monitorimit, si në anën shqiptare edhe atë maqedonase të Liqenit të Ohrit, “arrin në përfundimin se progresi është shumë i ngadalshëm dhe shumë i dobët”.
Sipas raportit të UNESCO-s “prona mbetet shumë e cënueshme për shkak të zbatimit të dobët të kuadrit ligjor për mbrojtjen dhe planifikimin, si dhe problemet e rëndësishme të menaxhimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”.
Misioni thotë më tej se ” përkeqësimi serioz i vlerave kryesore universale të pronës (Ohrit) dhe i peizazheve urbane, rurale dhe natyrore po shkakton degradim të pakthyeshëm nëse nuk ndërmerren veprime vendimtare”.
Në kërcënimet e identifikuara misioni përmend “ndërhyrjet e papërshtatshme, ndikimet negative të zhvillimit urban dhe planifikimin e papërshtatshëm hapësinor, eutrofikimin e liqenit, infrastrukturën në shkallë të gjerë dhe propozime të tjera projektesh ”.
Misioni thotë se “kjo mund të rezultojë që Ohri të humbasë vlerën e jashtëzakonshme universale në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme”.
