Altin Dumani është njeri me integritet të lartë, i cili po bën thjesht detyrën e tij pa ndonjë anësi politike. Këtë përgjigje dha në intervistën ekskluzive ambasadori i Bashkimit Europian Silvio Gonzato, i pyetur për akuzat e opozitës kundër tij.
Për kreun e delegacionit të BE-së mënyra se si funksionon SPAK-u nuk mund të kontrollohet nga qeveria.
“Ka kryebashkiakë nga e majta dhe e djathta që janë të paditur, që po hetohen. Unë nuk shoh ndonjë anësi të veçantë politike në mënyrën si po vepron SPAK-u. Unë e kam takuar zotin Dumani, është njeri me integritet të lartë. Ai po bën punën e tij, nuk kërkon vëmendje, nuk kërkon famë. Ai thjesht po bën punën e tij. Dhe siç thashë më parë, mendoj se duhet t’i lejojmë të bëjnë punën e tyre. Dhe sigurisht, duhet bërë në kuadër të shtetit ligjor. Ata duhet të respektojnë procedurat e kështu me radhë, gjithçka është e qartë. Kështu që unë nuk dua vërtet të komentoj për insinuatat se SPAK-u është i drejtuar politikisht. Gjithçka që mund të them është se reforma në drejtësi futi masa mbrojtëse që mbrojnë institucionet gjyqësore nga ndërhyrjet politike. Nuk e kuptoj se si mënyra se si funksionon SPAK-u mund të kontrollohet nga qeveria. Kaq mund të them”.
Ambasadori thekson se duhet t’u japim pak kohë institucioneve të reja të drejtësisë për t’u konsoliduar dhe për të arritur rezultatet që priten, teksa u pyet për pretendimet e opozitës se SPAK do të duhet të veprojë më shpejt lidhur me akuzat për krimet zgjedhore.
“Ka disa rekomandime që janë pjesë e gjithë procesit të anëtarësimit, procesit të shqyrtimit, dhe ato kanë të bëjnë me rritjen edhe më tej të pavarësisë së sistemit gjyqësor, rritjen e burimeve, kapacitetit, për shembull, për të kryer hetime financiare në mënyrë efektive. Pra, ajo që thoni, mendoj unë, është një tregues se me të vërtetë SPAK-u po përballet me një ngarkesë të madhe pune dhe se nuk duhet të harrojmë se ky është një institucion i ri. Ata sapo kanë filluar. Ne do të shënojmë të premten, besoj, pesë vjetët e SPAK-ut në detyrë. Pra, duhet t’u japim pak kohë këtyre institucioneve të reja për t’u konsoliduar dhe për të arritur rezultatet që priten. Unë ndonjëherë shqetësohem se pritshmëritë që njerëzit kanë ndaj SPAK-ut janë paksa joproporcionale edhe me kapacitetin e tij. Ndonjëherë, shoh njerëz që i referohen rasteve të SPAK-ut që në fakt duhet t’i shkojnë drejtësisë së zakonshme, për shembull. Pra, duket sikur ata do të shpëtojnë gjithçka dhe të gjithë. Pra, SPAK ka një mandat specifik që merret me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Mendoj se ata kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme edhe në fushën e krimit të organizuar. Ne nuk flasim mjaftueshëm për këtë. Ata kanë krijuar bashkëpunim vërtet të shkëlqyer me agjencitë evropiane ligjzbatuese, me Europolin, por edhe me ndërkombëtarët, me Interpolin, me agjencitë në Amerikën e Jugut për trafikun e drogës. Pra, mendoj se po bëjnë shumë, për të qenë i sinqertë. Thjesht duhet t’u japim kohë. Dhe, sigurisht, është edhe çështje e konsolidimit të praktikave të tyre të punës, për të arritur nivelin e profesionalitetit që u nevojitet. Më vjen shumë mirë, për shembull, që zëvendësdrejtori i BKH-së, hetuesve, është emëruar tani, dhe ata mund të zhvillojnë tani policinë gjyqësore, pasi kjo do të rrisë edhe kapacitetin e SPAK-ut për të hetuar shpejt dhe me efektivitet rastet që i referohen”.
Ndërsa sa i takon deklaratës shqetësuese të kreut të SPAK për ata që kanë kaluar vetingun, Gonzato theksoi që institucionet gjyqësore duhet të kenë mekanizmat e tyre të brendshëm që sigurojnë llogaridhënien e stafit gjyqësor.
