Ndërsa hetimet e SPAK për inceneratorin e Tiranës nuk përfundojnë kurrë dhe janë copëzuar në dhjetra fraksione, duket se zhvillime intensive ka dhe në krahun administrativ. Brenda një periudhe më pak se një muaj, drejtoresha e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara ka nxjerrë dy urdhra që ndryshojnë menaxhimin e inceneratorit të sekuestruar.
Fillimisht, Xhaja e sapoemëruar kufizoi kompetencat e administratorit të caktuar nga shteti Arjan Baci, duke i lënë atij vetëm përgjegjësinë e marrëdhënieve me prokurorinë. Ndërsa për drejtimin e përditshëm të kompanisë, Xhaja emëroi një administrator të dytë, ish drejtorin e tatimeve në Elbasan, Indrit Karaj.
Por vetëm pak javë pas këtij urdhri, Xhaja ka nxjerrë një urdhër të dytë. Këtë herë duke shkarkuar përfundimisht Arjan Bacin, administratorin shtetëror që ka qenë në krye të inceneratorit që në momentin që ai u sekuestrua nga SPAK verën e vitit të kaluar dhe duke e lënë biznesin tërësisht nën menaxhimin e Indrit Karajt.
